Më 10 janar 2026, në Katedralen "Shën Nënë Tereza" - në Prishtinë u shënua Kremtimi i Meshës së Shenjtë përkujtimore në 30-të vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-të vjetori i kalimit në amshim të Imzot Mark Sopi.
Mesha e kremtuar nga Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në bashkremtim me Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqiipeshkëv i Tivari, dhe meshtarë të Dioqesë sonë në Kosovë.
Pas meshës, u mbajt Akademia Solemne për të kujtuar veprën madhore të dy ish-prelatëve të Kishës Katolike në Kosovë të cilët shërbyen me dashuri, zell, dhe sakrificë të madhe në periudha të ndryshme.
Vëllezër dhe motra,
Kemi shumë dëshmi se si Imzot Prela ishte simbol i rezistencës paqësore me gjithë pjesëtarët tjerë të Lëvizjes. Por duam ta veçojmë sot Mark Sopin, sepse më e madhja e veprës së tij është dëshmia e tij para kancelarive të botës, sidomos para Kongresit të SHBA, se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe se ne (katolikët) nuk kemi frikë nga populli ynë e as nga vëllezërit tanë mysliman.
Kur sot përballemi me disa realitete të padëshiruara, disa ide të shëmtuara dhe me disa individë, grupe të organizuara që punojnë në rrënimin e vlerave të kësaj dëshmie, dikush mund ta shef pohimin e Imzot Markut si naivitet të atëhershëm, ose si vetëmashtrim të Kishës që shpresonte në pashpresi. Por, jo! Ne akoma besojmë, e jemi të bindur, që populli ynë dhe shteti jonë do t’i mbetet besnikë dëshmisë së Imzot Perlës e Imzot Sopit, dhe përkushtimit të përbashkët për të ndjekur rrugën e paqes dhe bashkëjetesës nder vëllazërore, respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe qytetërimit që ne natyrshëm i takojmë, që për ne është qytetërimi i dashurisë.
Ky ripohim i imi i dëshmive të mëparshme është në vazhdën e dëshmive të prelatëve që kanë pasur për popullin e vet. Nuk është një iluzion por një realitet, që mbështetet në themelet e kësaj Katedrale ku me liri të plotë po i përkujtojmë prelatët e kishës sonë.
Pastaj, është fakti që ne jetojmë në paqe me vëllezërit e motra tona myslimanë. Nuk na pengon njeri që ta shpallim Lajmin e Mirë e t’i ftojmë të gjithë njerëzit që të besojnë e ta pranojnë Krishtin. Ndoshta, fakti që shumë gra e burra, në lirinë e tyre kanë pranuar të pagëzohen, është dëshmia më e fuqishme e bindjes sonë.
Prandaj, është më se e vërtetë që ne nuk kemi frikë nga vëllezërit tanë myslimanë, pasi njerëzit tanë me liri të plotë guxojnë të besojnë në atë që duan e të jetojnë fenë e tyre pa pengesë.
Në fund, zëshëm me duhet të them se bashkëjetesa ndërfetare nuk rrezikohet duke i përdorë frytet e lirisë; nuk mundë të jetë e qëndrueshme pa bindje, dhe se paqja nuk prishet duke e përdorur lirinë, por duke ia mohuar atë njeri-tjetrit.
Mbi të gjitha iu them atyre që janë pagëzuar, se pagëzimi nënkupton rilindjen, që do të thotë një jetë të re në shpresë e dashuri. Këndej, i ftoj që ata të dëshmojnë lumturinë e tyre që e kanë gjetur Hyjin Dashuri, e të mos përçmojnë përvojat e mëparshme, pasi e drejta për tu përcaktuar dhe për të përzgjedhur përcaktimin fetarë të ndihmon, por nuk të përtërinë që të jesh më mi mirë, më i ndershëm e më i përkryer në dashuri ndaj Zoti apo kombit – pasi gjitha këto fitohen si dhuratë dhe hir e Zotit dhe prej trashëgimisë së të parëve./drita.info
(Fjala e plotë e Imzot Dodë Gjergjit në Akademinë Solemne për 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit, mbajtur në Qendrën “BogdaniPolis”, në Prishtinë, më 10 janar 2026)